Forca të shumta të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policisë Bashkiake kanë ndërhyrë sot në një kantier ndërtimi në zonën e Farkës, ku po ngriheshin disa objekte 2-3 katëshe në shkelje flagrante të lejes së ndërtimit. Sipas burimeve, bëhet fjalë për 7 vila në pronësi të Vladimir Kostës, ish-deputet i Partisë Socialiste.
Në vendngjarje ishin të pranishëm Ministrja e Brendshme Albana Koçiu, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Blendi Sula, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe drejtoresha e IMT-së Dallëndyshe Bici, të cilët ndoqën nga afër aksionin, i cili u interpretua nga shumëkush si një “show” publik për të treguar "përkushtimin" kundër ndërtimeve pa leje.
Sipas Blendi Sulës, subjekti kishte tejkalime të plota të lejes zhvillimore, duke paralajmëruar ndërtuesit dhe investitorët që të respektojnë ligjin.
Në njoftimin zyrtar, policia sqaroi se ndërtuesit, mbikëqyrësit dhe inspektorët që kanë shkelur kushtet e lejeve për objektet luksoze do të përballen me masa administrative dhe penale, ndërsa qytetarët u paralajmëruan të jenë të kujdesshëm gjatë blerjes së pronave duke verifikuar statusin e tyre ligjor.
Nga “Sky Tower” te vilat në Farkë
Ish-deputeti Vladimir Kosta, i cili më herët është përfshirë në disa afera ndërtimi, ka ngritur edhe katet shtesë të “Sky Tower” me miratimin e Bashkisë Tiranë gjatë kohës së Erion Veliajt. Ai ka dëshmuar në SPAK për hetimet ndaj Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, ndërsa “Sky Tower” është një nga godinat ku kompania e Xoxës, Harabel, ka zyrat e saj.
Fenomeni i “habisë” me ndërtimet pa leje është përsëritur më parë edhe me ministra të tjerë të kabinetit Rama. Në shtator 2022, në zonën e Liqenit të Thatë u zbulua një pallat 9-katësh pa leje, që më pas u sekuestrua nga qeveria. Atëherë, zv.kryeministrja Belinda Balluku e quajti “rastin më flagrant të shkeljes së ligjit”, duke shtuar se “se si ka ndodhur kjo, mbetet mister”.
Në realitet, hetimet treguan se biznesmeni Julian (Lul) Morina, pronar i pallatit, kishte korruptuar zyrtarë lokalë, përfshirë shefin e komisariatit të zonës.
Duke ndjekur gjurmët e Ballukut, ministrja Albana Koçiu deklaroi se ky do të jetë vetëm fillimi i një aksioni kombëtar kundër ndërtimeve pa leje:
“Ky aksion vjen në kuadër të paketës së re ligjore që synon vendosjen e sanksioneve konkrete. I bëj thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm në verifikimin e statusit ligjor të pronave që blejnë. Ky aksion do të vazhdojë deri në fund për të mbrojtur territorin nga çdo abuzim me pronën publike.”