Panik në qendër të Romës: Një pjesë e Torre dei Conti shembet, plagoset rëndë një punëtor

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 03.11.2025, 13:25

Momente paniku janë regjistruar sot paradite në zemër të kryeqytetit italian, pranë Forumeve të famshme Romane, kur një pjesë e kullës mesjetare Torre dei Conti u shemb gjatë punimeve për rikonstruksion. Nga ngjarja mbeti i plagosur rëndë një punëtor, ndërsa katër të tjerë u shpëtuan nga ekipet e emergjencës.

Sipas autoriteteve, shembja e parë ndodhi rreth orës 11:15, duke shkaktuar panik mes qindra turistëve që ndodheshin në zonë. Zjarrfikësit dhe ekipet e mbrojtjes civile ndërhynë menjëherë me shkallë mobile për të shpëtuar punëtorët e mbetur në pjesët e larta të strukturës. Tre punëtorë u nxorën të gjallë, ndërsa një tjetër mbeti i bllokuar nën rrënoja.

Gjatë përpjekjeve të shpëtimit, rreth orës 12:50, një pjesë tjetër e kullës u shemb papritmas, duke ngritur një re të dendur pluhuri mbi zonën përreth. Për fat të mirë, as punëtori i bllokuar dhe as zjarrfikësit nuk u lënduan në këtë shembje të dytë. Ekipet përdorën edhe dronë për të vlerësuar gjendjen e strukturës dhe për të verifikuar nëse kishte persona të tjerë të mbetur nën rrënoja – çka nuk u konstatua.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, dhe Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, të cilët inspektuan situatën dhe u informuan mbi gjendjen e të plagosurve. Kryebashkiaku theksoi se puna për rikonstruksionin e kullës është pjesë e një projekti të financuar nga Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (PNRR), i cili synon transformimin e zonës në një hapësirë për këmbësorë.

Presidenti i Rajonit të Lacios, Francesco Rocca, deklaroi se “ekipet e emergjencës së Ares 118 dhe zjarrfikësit kanë vepruar me profesionalizëm në kushte jashtëzakonisht të vështira”. Ai shtoi se, përveç punëtorit të plagosur rëndë, “një tjetër është jashtë rrezikut, ndërsa dy refuzuan shtrimin në spital, duke pësuar vetëm lëndime të lehta”.

Zonat përreth, përfshirë Via Cavour, Via dei Fori Imperiali dhe Salita del Grillo, janë mbyllur për qarkullim për të lehtësuar operacionet e shpëtimit, ndërsa disa linja urbane autobusësh janë devijuar.

Torre dei Conti, ndërtuar në shekullin XIII nga Papa Innocent III, ka një histori të gjatë dëmtimesh. Ajo ka pësuar kolaps të pjesshëm gjatë tërmetit të vitit 1349 dhe shembje të tjera në shekullin XVII.

Hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim. Karabinierët dhe Inspektorati i Punës, nën drejtimin e Prokurorisë së Romës, do të analizojnë dokumentacionin teknik dhe kushtet e kantierit për të përcaktuar përgjegjësitë. Një nga hipotezat paraprake është ajo e një shembjeje të brendshme të strukturës gjatë punimeve. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në Itali, duke rikthyer vëmendjen te rreziku që përfaqësojnë monumentet historike në zonat turistike të mbipopulluara të kryeqytetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit