Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur pretencën ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, Ahmet Mashës dhe Altin Hajrit, të akuzuar për rrjedhje informacioni sekret dhe korrupsion gjatë zgjedhjeve të vitit 2021. Sipas kërkesës së SPAK-ut, Çyrbja akuzohet për tregim të sekretit shtetëror, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion zgjedhor, duke u kërkuar dënimi me 3 vite burg, që në rast të pranimit të gjykimit të shkurtuar do të reduktohet në 2 vite.
Ndaj Altin Hajrit, prokuroria ka kërkuar 3 vite burg për korrupsion në zgjedhje dhe përkrahje të autorit të krimit, që me gjykim të shkurtuar do të zbresë në 2 vite burgim. Ndërkohë, për Ahmet Mashën, i cili akuzohet për tregim të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit, SPAK ka kërkuar dënim me 2 vite e 6 muaj burg, që mund të reduktohet në 1 vit e 8 muaj nëse gjykata pranon kërkesën për gjykim të shkurtuar.
Sipas dosjes hetimore, ish-deputeti Çyrbja akuzohet se ka strehuar Altin Hajrin dhe e ka ndihmuar me informacione të klasifikuara mbi operacionet e Policisë së Shtetit. Ai u arrestua më 20 tetor të vitit të kaluar dhe ndaj tij rëndojnë veprat penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, “përkrahjes së autorit të krimit” dhe “tregtimit të sekretit shtetëror nga shtetasit”. Hetimet për këtë çështje janë mbyllur nga SPAK dhe pritet vendimi përfundimtar i gjykatës.