Një qytetare nga Berati ka dërguar një video që tregon një motorist të “Proper Pizza” duke lëvizur me motor brenda parkut të lojërave në shëtitoren e qytetit, një zonë e destinuar vetëm për këmbësorë dhe ku ndalohet qarkullimi i mjeteve motorike. Videoja është regjistruar të shtunën. Gruaja tregon se ndodhej aty me fëmijët e saj, kur personi kaloi disa herë me motor në mes të parkut, duke rrezikuar fëmijët që loznin.
“Përshëndetje JOQ! Të shtunën në shëtitoren e Beratit dolëm me kalamajtë për të luajtur te parku i lojërave që ndodhet në shëtitore. Aty kalonte disa herë me motor një person, ndërkohë që nuk lejohet të kalojnë motorra. Pasi kaloi disa herë, i them djalit: “Ndal pak.” Ndalon dhe i them: “Nuk e shikon që këtu ka fëmijë? Pse kalon këtu? Kalo nga rruga.” Më kthen një përgjigje që më irritoi shumë: “Këtu dua të kaloj dhe do kaloj sa herë të dua unë.” I them: “Ore, je në terezi? Këtu lozin kalamajtë.” Ai më thotë: “Mos e ke tokën tënde?” I them: “Mirë, meqë ti kalon sa herë të duash dhe je aq burrë, prit të marr në telefon të vijnë të të vënë një gjobë, që ta mësosh mirë dhe të mos kalosh më këtej.” Kur nxorra telefonin, ndaloi së debatuari dhe i thashë: “Ec tani, vazhdo.” Nuk e di a kanë ndërgjegje këta persona dhe a mund të kuptojnë që rrezikojnë fëmijët. Po ju dërgoj edhe videon që të ndërgjegjësohen personat e tjerë. Është park lojërash në shëtitore, ku ndalohet qarkullimi i mjeteve. Është vetëm për këmbësorë. Kam lajmëruar sallën për të ardhur policia për t’i vënë gjobë, por ai u largua në atë moment”, shkruan qytetarja.
Ajo shton se ka njoftuar sallën operative për ndërhyrje, por personi ishte larguar përpara se të mbërrinte policia. Ngjarja ka ngjallur reagime për mungesën e respektit ndaj rregullave të sigurisë në parqe, sidomos në hapësira ku luajnë fëmijë. Qytetarja thotë se shpreson që publikimi i videos të shërbejë si ndërgjegjësim.