Projekte turistike dhe pallate 12-25 kate rrezikojnë ekosistemet e Liqenit të Pogradecit dhe habitatin natyror të zonës së mbrojtur.
Ndërsa projekti “Pogradec Marina” dhe pallatet e larta prej deri në 25 kate planifikohen pranë Liqenit të Ohrit dhe parkut të mbrojtur të Drilonit, ekspertët dhe organizatat mjedisore bëjnë thirrje për ruajtjen e zonës UNESCO-së, duke paralajmëruar rrezikun e humbjes së statusit të Trashëgimisë Botërore dhe dëmeve të mëdha ekologjike. Ndërtime të shumta dhe zhvillimi i paplanifikuar po kërcënojnë ekosistemin unik të liqenit dhe habitatin natyror, ndërkohë që autoritetet lokale dhe qeveria argumentojnë se këto projekte do të përmirësojnë turizmin dhe ekonominë. Indikatorët tregojnë se nëse vazhdohet me këto ndërhyrje, rajoni mund të përballet me humbje të rëndë të trashëgimisë natyrore dhe të trashëgimisë botërore, duke rrezikuar të fusë Pogradecin në listën e vendeve në rrezik në vitin 2026.
KKT miratoi lejen e ndërtimit për objektin “Pogradec Marina”, ku edhe pse investitorë është një bashkim operatorësh, “Aramar Group” dhe “Arlis-Ndërtim”, pronari i vetëm përfitues është biznesmeni Armand Lilo.
Në afërsi të parkut, plani parashikon ndërtimin e strukturave turistike me lartësi që variojnë nga 3 deri në 23 kate mbi tokë, si dhe një galeri arti me funksion publik, si dhe godinave hibride për qëllime tregtare.
Ky projekt ka ngritur dyshime për mundësinë e ndikimeve të interesave private në një zonë të mbrojtur, ndërsa ka nisur puna për zbatimin e projektit “Pyjet e Drilonit”, që parashikon ngritjen e pallateve 12-katësh pranë Parkut të Drilonit, në hyrje të Tushemishtit. Shitja e apartamenteve ka filluar, me çmime që arrijnë 157,000 euro për një njësi 2+1.
Arbër Male, këshilltar i pavarur bashkiak i Pogradecit, thotë se ndërtimi i kullave në qytet bie ndesh me direktivat e UNESCO-s, e cila e klasifikon pjesën ku parashikohen ndërtimet si një zonë me rëndësi natyrore, mjedisore dhe pjesë të trashëgimisë botërore.
“Nuk mund të ketë pyje dhe kulla bashkë, beton dhe park. O njëra o tjetra!” — thotë Male, sipas të cilit projektet e tilla nuk ndihmojnë zhvillimin e turizmit në Pogradec.
Arjan Merolli, inxhinier dhe ekspert i përfshirë në dosjen e UNESCO-s për Liqenin e Ohrit, thotë se projektet rrezikojnë heqjen e Liqenit nga lista ndërkombëtare e zonave të mbrojtura.
“Çdo ndërtim i ri rrezikon heqjen e liqenit nga lista ndërkombëtare dhe përshkruan rrezik katastrofe ekologjike dhe sociale. Mungesa totale e kontrollit në territor dhe mosbashkëpunimi ndërkufitar vazhdojnë shkeljen e ligjeve ndërkombëtare,”- thotë Merolli.
Sipas ekspertëve, ndërtimet e reja bllokojnë korridoret ajrore dhe krijojnë hije të mëdha mbi shtëpitë ekzistuese, duke përkeqësuar lagështinë dhe duke rrezikuar peizazhin tampon që UNESCO ka kërkuar të ruhet deri në 50 metra larg bregut.
“Hetimet mbi situatën pas raportit të UNESCO-s tregojnë se, për disa muaj, qeveria dhe autoritetet lokale nuk kanë bërë asnjë reagim ose informim lidhur me përkeqësimin e situatës,” — thekson Merolli.