Sektori i shëndetësisë në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor po përballet me një mungesë të theksuar stafi, veçanërisht mjekësh, për shkak të emigrimit masiv drejt Gjermanisë. Një studim i fundit tregon se deri në vitin 2023, rreth 30% e stafit shëndetësor nga Shqipëria kishte zgjedhur të punonte jashtë vendit. Situata është edhe më kritike në Kosovë, ku 50.3% e fuqisë punëtore shëndetësore është aktualisht në Gjermani, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina regjistron 42.5%. Shifrat për Maqedoninë e Veriut janë 9%, për Malin e Zi 13.9%, dhe për Serbinë 7.2%.
Midis viteve 2015 dhe 2024, numri i punonjësve të Ballkanit Perëndimor në sektorin e kujdesit shëndetësor në Gjermani është rritur mesatarisht 27.2% në vit, ndërsa për Shqipërinë kjo rritje është 17% çdo vit. Ky trend po ushtron presion të madh mbi sistemet shëndetësore në rajon, ku numri i mjekëve për frymë mbetet ndër më të ulëtat në Evropë, duke krijuar probleme si kohë pritjeje të gjata, mungesë shërbimi në zonat rurale dhe ngarkesë më të madhe për stafin e mbetur. Popullsia mbi 75 vjeç do të rritet në Ballkan, ndërsa popullsia në moshë pune pritet të bjerë.
Kjo do të rrisë kërkesën për kujdes shëndetësor në vendet e rajonit, duke theksuar më tej nevojën për masa që të frenojnë emigrimin e stafit shëndetësor dhe të forcojnë sistemin shëndetësor lokal.