Të gjithë e dimë se Shqipërinë e ka pllakosur informaliteti. Edhe pse terminali i autobuseve në Pogradec është ndërtuar dhe supozohej të rregullonte çështjet logjistike, shoferët e linjave të ndryshme nuk respektojnë oraret e udhëtimit dhe vërdallisin qytetarët me ecejake.
Për shembull, furgoni i linjës së orës 3 Pogradec – Prrenjas mbajti pasagjerët "peng" për një orë, pa njoftim, dhe më pas nuk nisej. Shoferi braktisi furgonin, dhe në orën 4 vjen një tjetër shofer që merr pasagjerët dhe niset me autobus tjetër. Kjo situatë ndodh përditë sepse furgonat nuk mbushen plotësisht, dhe shoferët e bëjnë me fjalë me njëri – tjetrin, derisa të grumbullojnë një furgon të plotë për t’u nisur. Këto vonesa sjellin acarime tek fshatarët e shumtë që udhëtojnë për në qytet.
Gazetarët e JOQ raportojnë nga terreni se fshatarët e varfër nuk dinë ku të ankohen për sjelljet abuzive dhe informalitetin që mbizotëron në terminalet e autobusëve jashtë Tiranës. Përveç problemeve me biletat, të cilat shpesh nuk jepen, mungesa e korrektësisë dhe mospergjegjshmëria janë norma në këto stacione.