Kërkesa e shtuar për strehim nga familjet që kanë shtyrë blerjen e banesës për shkak të çmimeve të larta, së bashku me kalimin e një pjese të madhe të pronave drejt qirasë ditore, kanë çuar në rritje të fortë të çmimeve të qirave afatgjata në Tiranë gjatë vitit 2025.
Sipas raportit të “Deloitte”, të ardhurat totale nga qiratë në vitin 2024 arritën në 350 milionë euro, me rritje 10% krahasuar me 2023. Edhe gjatë vitit 2025, tendenca e shtrenjtimit ka vijuar, duke prekur pothuajse të gjitha zonat e kryeqytetit.
Në zonat më të kërkuara pranë qendrës së Tiranës, rritja e qirave arrin deri në 30%. Pranë stadiumit “Air Albania”, qiratë për apartamente 2+1 arrijnë deri në 1,800 euro në muaj, me rritje 13% krahasuar me një vit më parë. Në ish-Bllok, qiratë për apartamente 1+1 janë rritur me 16%, duke arritur në 650 euro në muaj, ndërsa në Rrugën e Elbasanit, qiratë për 2+1 janë rritur nga 700 në 1,100 euro, ose 57% më shumë. Edhe në zonën e Liqenit Artificial, çmimet kanë shënuar rritje 13–17%, me apartamente që shkojnë deri në 1,400 euro në muaj.
Në kontrast, gjetja e një apartamenti me qira nën 400 euro brenda vijës së verdhë të ndërtimit është bërë tepër e vështirë. Agjentët imobiliarë thonë se prona me çmime 300–350 euro gjenden vetëm në periferitë si Astiri apo Fresku, dhe merren menjëherë sapo publikohen.
Një tjetër faktor që po ndikon në rritjen e çmimeve është zgjerimi i tregut të qirave ditore, që po e tkurr ndjeshëm ofertën për qira afatgjata. Sipas të dhënave të AirDNA, në fund të vitit 2024 në Shqipëri ishin të listuara rreth 21 mijë njësi për qira ditore, nga të cilat 3 mijë në Tiranë. Ky zhvillim po bën që shumë apartamente të kalojnë nga përdorimi për banim afatgjatë drejt akomodimit turistik.
Në segmentin e qirave rezidenciale, sivjet çmimet për apartamente 1+1 në Tiranë kanë arritur deri në 900 euro në muaj në zonat më të kërkuara të qytetit. Të dhënat nga agjencitë e pasurive të patundshme tregojnë se tregu i qiradhënies po shënon rritje të vazhdueshme, me çmime që janë rritur mesatarisht 6 deri në 57% në vetëm një vit. Në kontrast, turistët që marrin me qira për periudha afatshkurtra, mund të gjejnë shtëpi me qira në kryeqytet përmes platformave online edhe në 40-60 euro/ditë, shumë më lirë sesa në kryeqytete të njohura europiane, ku mesatarisht në ditë duhet të paguajnë më shumë se 100 euro.
Familjet e reja përbëjnë kategorinë kryesore të kërkesës për banesa me qira, pasi pamundësia për të blerë një shtëpi i detyron të qëndrojnë më gjatë në tregun e qiradhënies. Sipas agjencisë “CPM”, kërkesa është e lartë edhe nga shtetas të huaj që jetojnë e punojnë në Tiranë, kryesisht nga Turqia, Kanadaja dhe SHBA-ja.
Në krahasim me vitin 2021, çmimet e qirave janë rritur ndjeshëm në të gjitha zonat e kryeqytetit. Në Rrugën e Elbasanit, rritja arrin 75%, në ish-Bllok 47%, ndërsa në Komunën e Parisit nga 60 deri në 75%. Edhe në zonat periferike, si Fresku dhe Astiri, çmimet janë rritur nga 43 deri në 66%.
Ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme parashikojnë se çmimet e qirave do të vijojnë të rriten. Sipas tyre, kërkesa e lartë për strehim, çmimet e shtrenjta të shitjes dhe orientimi i pronave drejt qirave ditore po krijojnë presion të vazhdueshëm në treg. Ata thonë se stoku rezidencial po shfrytëzohet gjithnjë e më shumë për turizëm, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë gjetjen e apartamenteve me çmime të arsyeshme për banim afatgjatë.