Personi në foto është Klajdi Hoxha, 33-vjeçari nga Strumi i Roskovecit, i cili humbi jetën pasditen e djeshme në një aksident të rëndë rrugor në aksin “Strum–Roskovec”. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe më pas me motorin që drejtohej nga i riu, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme në vendngjarje.
Sipas familjarëve, Klajdi Hoxha ishte duke u kthyer nga puna për në shtëpi në momentin e aksidentit. Ai punonte në sera dhe ishte baba i dy fëmijëve të mitur, ndërsa lajmi i ndarjes së tij nga jeta i ka tronditur të gjithë. Policia dhe grupi hetimor po punojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes tragjike, që i mori jetën të riut vetëm disa kilometra larg banesës së tij.