Udhëtimi i Cekki Hotit, i cili përshkoi mbi 15,000 kilometra nga Kosova në Indonezi me biçikletë për t’i propozuar vajzës së ëndrrave, nuk pati “fundin e lumtur” që shumëkush në rrjete sociale priste.
Pas një odiseje që zgjati plot 1 vit e 3 muaj dhe që u kthye në simbol të dashurisë, vendosmërisë dhe guximit, i riu nga Kosova ka ndarë një rrëfim të papritur: dashuria nuk arriti të kapërcejë dallimet familjare dhe kushtet e vendosura.
Në një postim të sinqertë në rrjetet sociale, ai shpjegoi se marrëveshja për martesë dështoi pas bisedave të gjata me familjen e vajzës në qytetin Bau Bau të Indonezisë.
“Pas shumë ditësh bisedash me familjen e saj, nuk u dakorduam në kushte. Ata nuk pranuan të miat, unë nuk pranova të tyret. Prandaj secili vazhdoi jetën e vet. Jam i lumtur që ndodhi ashtu siç ndodhi. Kjo është jeta,” – shkroi ai, duke treguar se arsyeja e ndarjes nuk ishte mungesa e ndjenjave, por pamundësia për të gjetur një kompromis.
Vetëm pak ditë më parë, shqiptari i Kosovës fliste plot emocion për planet për të ndërtuar një jetë të re me vajzën që kishte njohur online, e cila e kishte frymëzuar të përshkonte mijëra kilometra me biçikletë nga Kosova drejt Azisë Juglindore.
Tani, historia që dikur u pa si një shembull i dashurisë së pastër dhe vendosmërisë, mbyllet me një reflektim të sinqertë dhe të pjekur:
“Jo çdo udhëtim përfundon siç e ëndërrojmë, por çdo udhëtim na mëson diçka për veten.”