Një ngjarje e veçantë sportive është zhvilluar këto ditë në Australinë e largët, ku komuniteti shqiptar ka mbajtur për të disatin vit radhazi turneun tradicional të futbollit “Kupa e Shqipërisë”.
Një shqiptar nga Melbourne i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke ndarë pamje nga eventi dhe duke treguar atmosferën e jashtëzakonshme që shqiptarët e Diasporës krijuan gjatë katër ditëve të aktivitetit.
Në këtë turne morën pjesë rreth 20 skuadra shqiptare, të përbëra nga futbollistë me origjinë shqiptare që jetojnë dhe luajnë në qytete të ndryshme të Australisë. Midis tyre mori pjesë edhe legjenda e Skënderbeut, Kristi Vangjeli, i cili u bë pjesë e garës.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të bashkonte shqiptarët e diasporës, të forconte lidhjet mes tyre dhe të ruante gjallë ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Flamujt kuqezi u valëvitën me krenari, ndërsa futbolli u kthye në një urë bashkimi për shqiptarët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Finalja e madhe u zhvillua ditën e sotme midis Shepparton Eagles dhe Adelaide Eagles, ku pas një ndeshjeje plot emocion, Shepparton Eagles arriti të triumfojë me rezultatin 3-1, duke fituar trofeun e 'Kupës së Shqipërisë 2025'.
“Edhe pse larg atdheut, zemra jonë rreh kuqezi. Ky aktivitet na bashkon dhe na kujton se ne, kudo që jemi, mbetemi shqiptarë,” – shkruan shqiptari që na kontaktoi nga Australia.
Urime Shepparton Eagles për fitoren dhe për një turne që tregoi unitetin, pasionin dhe shpirtin kuqezi të shqiptarëve në Australi!