Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Alpet italiane, ku pesë alpinistë nga Gjermania kanë humbur jetën pasi u përfshinë nga një ortek dëbore në zonën e Tirolit të Jugut, në Italinë veriore.
Sipas shërbimeve të shpëtimit, tre prej viktimave, dy burra dhe një grua,u gjetën pa shenja jete që të shtunën, ndërsa trupat e dy të tjerëve, një burrë dhe vajza e tij 17-vjeçare, u zbuluan të dielën në mëngjes.
“Ata ishin tërhequr nga orteku në pjesën më të ulët të grykës ku ndodhi rrëshqitja,” tha zëdhënësi i shpëtimit alpin, Federico Catania, duke shtuar se ekipet janë detyruar të kthehen në luginë për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike në lartësi.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00 të së shtunës, pranë majës Cima Vertana, në masivin malor Ortles, në mbi 3500 metra lartësi. Ende nuk dihet pse alpinistët ndodheshin në ngjitje në një orë kaq të vonë, thanë shpëtimtarët.
Sipas të dhënave paraprake, grupi përbëhej nga tre ekipe që udhëtonin në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri. Dy burra arritën të mbijetonin dhe u transportuan me helikopter drejt spitalit në qytetin e Bolzanos.
Rajoni i Tirolit të Jugut është një destinacion i njohur për alpinistët gjermanë, me majën më të lartë të tij, Ortles, që arrin në 3905 metra.
Aksidentet nga ortekët janë një problem i përsëritur në Alpet italiane, ku vendi renditet ndër më të prekurit në Europë për numrin mesatar të viktimave çdo vit gjatë dekadës së fundit.
Ekspertët thonë se rritja e numrit të tyre lidhet edhe me faktin që shumë persona zgjedhin të ngjiten në zona të rrezikshme menjëherë pas reshjeve të dëborës.