Pasditja e kësaj të diele ka sjellë trafik të rënduar në drejtim të Tiranës, teksa shumë qytetarë janë kthyer nga fundjava e kaluar në zonat turistike të Juglindjes. Fluksi i madh i automjeteve që kthehen nga Korça, Pogradeci dhe zonat turistike përreth ka shkaktuar radhë kilometrike dhe lëvizje të ngadalësuar në disa segmente të rëndësishme.
Më e ngarkuar paraqitet rruga kombëtare Elbasan–Tiranë, ku qarkullimi është vështirësuar ndjeshëm sidomos në zonën e Kthesave të Murrashit në Librazhd, si dhe nga rrethrrotullimi i Bradasheshit deri te Tuneli i Krrabës. Radhët e automjeteve janë zgjatur për kilometra të tëra, duke krijuar vonesa të konsiderueshme për qytetarët që po kthehen në kryeqytet pas fundjavës.
Situata e rënduar është vënë re edhe në Rrugën e Arbrit, e cila lidh Dibrën me Tiranën.
Për të përballuar fluksin, Policia Rrugore ka qenë e pranishme me forca të shtuara përgjatë të dy akseve, duke menaxhuar qarkullimin dhe duke ndërhyrë në pikat më problematike për të shmangur bllokimet totale.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë durim, kujdes dhe respekt ndaj rregullave të qarkullimit, pasi sipas parashikimeve, fluksi i lartë i automjeteve pritet të vijojë deri në orët e vona të mbrëmjes.
Trafiku i rënduar në këto drejtime është bërë tashmë një dukuri e përsëritur çdo të dielë, kur qindra familje dhe turistë kthehen në Tiranë pas pushimeve të fundjavës në juglindje të vendit.