Kreu aktual i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, e mbyll mandatin e tij më 19 dhjetor të këtij viti, ndërsa pritet së shpejti zgjedhja e drejtuesit të ri të institucionit. Në këtë periudhë, vëmendja publike ndaj SPAK dhe pritshmëritë për luftën kundër korrupsionit janë më të larta se kurrë.
Lidhur me këtë temë, TVA News ka dalë në terren për të pyetur qytetarët se kë do të arrestonin ata po të drejtonin SPAK. Përgjigjet kanë qenë të ndryshme, por shumica e të intervistuarve kërkojnë që drejtësia të godasë të gjithë politikanët, me argumentin se na kanë vjedhur të gjithë.
Disa qytetarë janë treguar më konkretë duke përmendur emra të njohur si Sali Berisha dhe Edi Rama, ndërsa një tjetër e ka kthyer pyetjen në një mesazh kritik ndaj vetë sistemit të drejtësisë, duke thënë se do arrestonin vetë kreun e SPAK, Altin Dumanin. Qytetarët shprehen se besimi në drejtësi do të rikthehet vetëm atëherë kur ligji të zbatohet pa përjashtime.