Një i ri shqiptar, Kristian Mitsi, ka përfunduar në gjendje të rëndë pas një ndalimi nga policia greke mbrëmjen e 31 tetorit, rreth orës 20:30, në zonën e “Agios Fanourios”. Sipas dëshmive të një miku që ndodhej me të në momentin e ngjarjes, dy efektivë policie e ndaluan për mungesë dokumentesh dhe e trajtuan me dhunë ekstreme. I riu u godit dhe u keqtrajtua para syve të shokut të tij, ndërsa më pas u dërgua me forcë në komisariat, ku sipas dëshmitarit, dhuna ka vazhduar.
Më vonë, Kristian Mitsi u transportua me ambulancë në spital, në gjendje shumë të rëndë, me fraktura në nofull, dhëmbë të thyer dhe plagë në kokë e trup. Policia greke pretendon se ai është vetëdëmtuar, por dëshmitarët mohojnë kategorikisht këtë version, duke kërkuar publikimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë, të cilat autoritetet refuzojnë t’i bëjnë publike pa urdhër gjykate. Familjarët e Kristianit dhe shokët e tij kërkojnë hetim të plotë dhe drejtësi për rastin, që sipas tyre përbën një akt të qartë dhune policore me motive diskriminuese.
Mesazhi denoncues në redaksinë e JOQ:
Përshëndetje, unë që po ju flas jam një mik i Kristian Mitsit. Më 31 tetor, në orën tetë e gjysmë të mbrëmjes, kishim dalë një shëtitje me shokun tim dhe na ndaluan dy policë për dokumente. Shoku im nuk ka dokumente dhe për këtë arsye ata bënë një zhurmë të madhe. Kjo situatë u bë edhe më e keqe sepse dy muaj më parë e kishin ndaluar përsëri për dokumente, por atëherë djali kishte ikur, kishte vrapuar. Kësaj here, ata dy polic qe na ndaluan dhe të gjithë policët që erdhën atë ditë, filluan të duartrokisnin dhe silleshin sikur kishin fituar ndonjë çmim që kapën një person pa dokumente, sepse e kishin marrë personalisht çështjen. E kanë kapur me forcë, e kanë goditur, dhe e kanë keqtrajtuar para syve të mi. Pas pak erdhën policë të tjerë dhe e çuan në një komisariat që quhet “Agios Fanourios”. Kur shkova atje për të parë shokun tim, nuk më lejuan. Më thanë se gjithçka ishte në rregull dhe se thjesht po priste të jepte një deklaratë. U ktheva pas një ore e gjysmë dhe në atë moment pashë ambulancën që e merrte dhe e çonte në spital. Bëmë zhurmë bashkë me vëllain e tij, kërkuam të na lejonin ta shihnim në çfarë gjendje ishte djali, por nuk na lejuan. Na bënë bllok në derën e ambulancës sepse nuk donin të shihnim gjendjen e tij. I bërtita nga jashtë: “A je mirë?” dhe ai më tha: “Vëlla, më kanë rrahur, më kanë bërë copa, më del gjak nga veshët.” Kur vëllai i tij shkoi në spital, pa thjesht një tmerr, diçka jo njerëzore. Të dy policët kanë shkruar se djali e ka goditur vetveten dhe se ata nuk e kanë prekur me dorë, gjë që është gënjeshtër, sepse vetë thanë që aty ka kamera. Kur kërkova të shoh kamerat për të vërtetuar atë që thanë, më thanë se kamerat mund të hapen vetëm me urdhër gjykate. Djali është në gjendje shumë të keqe i kanë thyer dhëmbët, i kanë thyer nofullën, ka qepje nën mjekër, qepje në kokë dhe në vetulla, e kanë goditur në brinjë. Sot kërkon përsëri të shkojë në spital sepse e kanë lënë në komisariat pa kujdes, ndërkohë që i del përsëri gjak nga veshët dhe goja.

