Nën tingujt e “I Did It My Way”, Fatos Nano përcillet për në banesën e fundit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 02.11.2025, 13:14

Pas më shumë se katër orësh, u mbyll ceremonia e lamtumirës për ish-kryeministrin Fatos Nano, liderin historik të Partisë Socialiste, i cili u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare.

Nën tingujt e këngës “I Did It My Way”, ish-kryeministri u përcoll për në banesën e fundit, mes një atmosfere të ngarkuar emocionesh dhe respekti. Qindra qytetarë hodhën karafila të bardhë mbi arkëmortin e tij, duke i dhënë lamtumirën e fundit njeriut që la gjurmë të thella në politikën shqiptare.

Ceremonia shtetërore nisi që në mëngjes, rreth orës 08:30, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku mijëra qytetarë, personalitete të politikës, kulturës dhe jetës publike zhvilluan homazhe për të ndjerin.

Pas përfundimit të homazheve, kortezhi funebër përshkoi në këmbë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i shoqëruar nga banda frymore që interpretoi marshe funebre. Arkëmorti i vendosur mbi një automjet ushtarak u ndoq nga familjarë, miq dhe figura të njohura të jetës politike.

Ceremonia përmbylli me nderime të plota shtetërore jetën dhe karrierën e një prej figurave më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit