Qytetari: Bashkia Mirditë prej 15 vitesh na ka izoluar në pronën tonë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 02.11.2025, 15:01

Prej 15 vitesh, familja Gjoka nga fshati Vaushkjez, në Njësinë Administrative Rubik të Bashkisë Mirditë, jeton e izoluar në pronën e vet për shkak të një muri betoni që u ka bllokuar rrugën e vetme të hyrjes. Besmir Gjoka, në një denoncim publik drejtuar redaksisë së JOQ Albania, tregon se që prej vitit 2010, kur kryebashkiak ishte Mark Ruçi, familja e tij nuk ka më asnjë qasje me automjet në shtëpi dhe tokën e vet, pasi pas ndërtimit të një karburanti pranë pronës, rruga që ishte parashikuar për ta nuk u ndërtua kurrë përkundrazi, u mbyll me mur.

Sipas Gjokës, familja ka bërë dhjetëra ankesa ndër vite në ish-Bashkinë Rubik dhe më pas në Bashkinë Mirditë, por asnjëherë nuk është marrë një vendim për t’u rikthyer të drejtën e lëvizjes. Ai tregon se një rrugë alternative e hapur përkohësisht rezultoi tepër e rrezikshme për shkak të lidhjes direkte me autostradën dhe u mbyll pas pak kohe. Më 30 tetor 2025, Bashkia Mirditë, në një përgjigje zyrtare të firmosur nga kryetari Albert Melyshi, deklaroi se ka shteruar çdo mundësi për zgjidhje, duke ia kaluar përgjegjësinë Autoritetit Rrugor Shqiptar gjë që denoncuesi e quan një justifikim, pasi rruga është lokale dhe ndodhet vetëm 30 metra nga banesa.

Ai kërkon që Bashkia Mirditë të marrë masa të menjëhershme për hapjen e rrugës, ndërsa apelon edhe tek ARRSH dhe mediat për transparencë dhe mbështetje ndaj kësaj padrejtësie që, sipas tij, ka izoluar familjen për një dekadë e gjysmë në mes të territorit të vet.

Denoncimi në redaksinë e JOQ:

Përshëndetje redaksisë së JOQ Albania, Unë jam Besmir Gjoka, lindur dhe banues në fshatin Vaushkjez, Njësia Administrative Rubik, Bashkia Mirditë. Ju drejtohem me shpresën që zëri ynë, pas 15 vitesh padrejtësi, të dëgjohet publikisht. Që nga viti 2010, familja ime është plotësisht e bllokuar nga hyrja në pronën tonë. Rruga e vetme që lidhte shtëpinë dhe tokën tonë me rrugën kombëtare është mbyllur me mur betoni, dhe ne nuk kemi asnjë qasje me makinë në pronën tonë. Historia nis kur kushëriri ynë ia shiti tokën një biznesmeni mirditor, i cili ndërtoi aty një karburant. Në atë kohë, u ra dakord që në kufi me biznesin të ndërtohej një rrugë e vogël që do t’i shërbente familjes sonë për hyrje në pronë. Biznesi u ndërtua, por rruga nuk u bë kurrë. Përkundrazi, pas përfundimit të punimeve, u ngrit një mur betoni që na bllokoi plotësisht hyrjen. Që prej asaj dite, jetojmë në izolim rrugor brenda territorit tonë, sikur të mos ekzistonim për pushtetin lokal. Kemi bërë ankesa të përsëritura në ish-Bashkinë Rubik dhe më pas në Bashkinë Mirditë. Kanë ardhur ish-kryetarë, policë bashkiakë dhe grupe pune, por asnjëherë nuk është marrë një masë konkrete për të na kthyer të drejtën tonë. Në një moment, u hap një rrugë alternative rreth 1 kilometër e gjatë, por ajo doli shumë e rrezikshme në hyrje-dalje me autostradën, dhe u mbyll pas pak kohe. Prej 15 vitesh, asnjë institucion nuk ka marrë përgjegjësi për këtë situatë absurde, ku një familje mbetet pa rrugë për në pronën e vet. Më 30 tetor 2025, morëm një përgjigje zyrtare nga Bashkia Mirditë, e firmosur nga kryetari z. Albert Melyshi, ku thuhet se Bashkia “ka shteruar çdo mundësi për zgjidhje” dhe se “çështja i takon ARRSH-së”. Por ky është justifikim – rruga për të cilën flitet është lokale,(familjare). Ndodhet vetëm 30 metra nga shtëpia jonë, dhe i shërben familjes sime, jo ndonjë rruge kombëtare apo autostrade. Bashkia nuk ka ngritur asnjë grup pune serioz, nuk përmend biznesin që ngriti murin dhe nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për dëmin moral e ekonomik që i ka shkaktuar familjes sonë. Prindërit e mi janë në moshë, dhe prite Zot, nëse ndonjë moment do kenë nevojë për ndonjë emergjencë, se skanë ku të kalojnë për ndihmë. Kjo është një shkelje flagrante e të drejtës së pronës, një akt çnjerëzor izolimi, dhe një turp institucional për çdo pushtet lokal që ka kaluar në këto 15 vite. Kërkoj publikisht që Bashkia Mirditë të marrë përgjegjësinë për zgjidhjen e menjëhershme të problemit, që Autoriteti Rrugor Shqiptar të verifikojë në terren situatën reale të rrugës dhe që institucionet shtetërore dhe mediat të bëjnë transparencë për këtë padrejtësi të gjatë. Familja ime kërkon vetëm të drejtën minimale për të hyrë në pronën tonë asgjë më shumë. Faleminderit redaksisë së JOQ Albania për hapësirën që i jep qytetarëve të thjeshtë që nuk dëgjohen nga askush tjetër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit