Arrestohen tre shqiptarë për grabitjen e dhunshme ndaj biznesmenit italian në Trentino

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 02.11.2025, 13:06

Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Itali, pasi akuzohen për grabitjen e dhunshme ndaj biznesmenit 72-vjeçar Eugenio Gallizioli, ngjarje e ndodhur më 8 tetor në Trentino. Sipas autoriteteve italiane, grabitja zgjati më shumë se katër orë, gjatë së cilës autorët mbajtën peng të moshuarin nën kërcënimin e armës dhe i vendosën thikën në fyt, duke i marrë më shumë se 300 mijë euro para në dorë, si dhe bizhuteri e sende me vlerë. Një person i katërt po hetohet në gjendje të lirë.

Operacioni u zhvillua nga Karabinierët e Njësisë Hetimore të Trentos, pas urdhrit të lëshuar nga Prokuroria. Hetuesit arritën të identifikonin autorët pas analizës së pamjeve të kamerave të sigurisë dhe sistemit të njohjes së targave, duke zbuluar edhe makinën që grabitësit kishin përdorur për t’u larguar nga vendngjarja. Pasi zbuluan se automjeti i vjedhur ishte braktisur pranë departamentit të inxhinierisë në Povo, karabinierët ndoqën gjurmët e tyre dhe i arrestuan në banesa të ndryshme në Trento, Milano dhe pranë liqenit Garda.

Sipas hetimeve, një nga të arrestuarit punonte në një kantier ndërtimi afër shtëpisë së viktimës dhe besohet se kishte vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e biznesmenit. Autorët ishin të pajisur me mjete profesionale për hapjen e kasafortave, çka tregon përgatitje të mirë të grabitjes. Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të verifikuar nëse grupi ka qenë i përfshirë edhe në ngjarje të tjera të ngjashme në rajon.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit