Atmosferë e rënduar dhe skena të turpshme shënuan ndeshjen e Ligës së Dytë mes KF Pobeda dhe KF Shkëndija, e zhvilluar në stadiumin e qytetit të Prilepit. Ajo që duhej të ishte një përballje sportive u kthye në një mbrëmje të errët për futbollin maqedonas, pas incidenteve me përmbajtje racore dhe nacionaliste që tronditën publikun sportiv.
Sipas raportimeve, një pjesë e tifozëve vendas të Pobedës lëshuan brohoritje fyese dhe raciste ndaj lojtarëve shqiptarë të Shkëndijës, përfshirë shprehje të rënda si “dhomë gazi për shqiptarët” dhe “majmunë”. Incidentet nuk u ndalën vetëm me fjalë: pas përfundimit të ndeshjes, disa tifozë raportohet se kanë tentuar të hyjnë në dhomat e zhveshjes së skuadrës mysafire, duke shtuar ndjeshëm tensionin dhe rrezikun për përplasje fizike.
Klubi nga Haraçina reagoi menjëherë me një deklaratë zyrtare, ku dënoi ashpër sjelljet e tifozëve vendas:
“Skenat që u panë sot në stadiumin e Prilepit nuk i ngjajnë aspak futbollit dhe frymës sportive që ky sport përfaqëson. Çfarë ndodhi në tribuna dhe rreth fushës nuk duhet të ketë vend në një ndeshje futbolli,” – thuhet në reagimin e klubit.
Në të njëjtën deklaratë, Shkëndija 77 thekson se fyerjet racore dhe provokimet nuk kanë asnjë justifikim:
“Sjellje të tilla e dëmtojnë futbollin, klubet dhe imazhin e garës. Ne i dënojmë me vendosmëri këto veprime të turpshme që cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e lojtarëve tanë.”
Pavarësisht tensioneve, KF Shkëndija Haraçinë 77 arriti të marrë një fitore të rëndësishme 1–0 në fushë. Por në fund, rezultati kaloi në plan të dytë përballë turpit të sjelljeve diskriminuese që errësuan imazhin e futbollit dhe sportit në tërësi.