Faruk Fatih Ozer, i njohur si “mbreti” i kriptomonedhave dhe themelues i platformës tashmë të falimentuar “Thodex”, është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e Tekirdagut në Turqi. Mediat turke raportojnë se Ozer, i cili ishte ekstraduar nga Shqipëria në vitin 2023, është gjetur i varur në tualetin e qelisë. Autoritetet turke po hetojnë nëse bëhet fjalë për vetëvrasje, ndërsa autopsia pritet të zbardhë rrethanat e plota të ngjarjes.
Ozer u bë i njohur në vitin 2017 pasi krijoi bursën e kriptomonedhave “Thodex”, ku investuan rreth 400 mijë qytetarë turq me një shumë totale prej 2.7 miliardë dollarësh. Në prill të vitit 2021, investitorët humbën aksesin në llogaritë e tyre, ndërsa Ozer u zhduk, duke u shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pas disa muajsh arrati, ai u arrestua në Shqipëri, ku jetonte mes Elbasanit dhe rezidencave luksoze në Palasë.
Në vitin 2023, gjykata e Stambollit e dënoi Ozerin me 11,196 vjet burg për mashtrim të rëndë, drejtim organizate kriminale dhe pastrim parash. Bashkë me të u dënuan edhe dy motrat e tij, Serap dhe Güven Ozer, të cilët u shpallën fajtorë për bashkëpunim në skemën e mashtrimit. Emri i Ozerit u përmend edhe në hetimet shqiptare, pasi në periudhën e arratisë së tij u strehua nga Edevaldo Haxhiu, ish-shoferi i kryetarit të PAA-së, Agron Duka, ndërkohë që vetë Haxhiu pranoi se e kishte pritur në aeroport pa e ditur identitetin e tij të vërtetë.