Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme fshatin Gjorm të Vlorës, ku një 36-vjeçar mbeti i vrarë nga kushëriri i tij.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00, në rrugën përballë shtëpisë së autorit. Dallan Aliaj, 36 vjeç, humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri nga Bertil Alliaj, 32 vjeç, i cili më pas u largua nga vendngjarja.
Banorët e zonës shprehen të tronditur, duke thënë se nuk kanë dëgjuar të shtëna dhe se lajmin e kanë mësuar nga mediat.
“E morëm vesh nga televizori. Ka pasur kohë që nuk dukej në fshat. Ka qenë i larguar, punët e tij, hallet e tij. Nuk dihet arsyeja,” – tha një banor i Gjormit.
Sipas dëshmive, autori ishte larguar nga fshati që prej vitit 2015 dhe nuk ishte parë më që atëherë. Shkaqet e konfliktit mbeten ende të paqarta.
“Ky që humbi jetën është kushëriri im. Viktima rrinte në Levan. Autori ka pasur probleme me shtetin. U habitëm si kishte mundësi që kishte ardhur. Ndoshta kishte ardhur sepse i ati ishte sëmurë,” – u shpreh një tjetër banor.
Policia e Vlorës po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për kapjen e autorit.