Klima në fshatin Vorizia të Heraklionit është kthyer në një arenë lufte, pasi një përplasje e dhunshme midis dy familjeve ka degjeneruar në një tragjedi të përgjakshme, duke lënë 3 persona të vdekur dhe mbi 10 të plagosur. Breshëri plumbash, panik mes banorëve dhe ndërhyrja e policisë që mori në kontroll zonën kanë shënuar orë të tëra terrori. Shkaku i ngjarjes, sipas mediave greke, lidhet me një konflikt të vjetër hakmarrjeje midis dy familjeve të njohura të zonës.
Sipas raportimeve, tensionet mes dy familjeve kishin nisur rreth një vit më parë. Së fundmi, ishte bërë një përpjekje për t’i zbutur ato përmes një pagëzimi që do të mbahej të shtunën pasdite në Kissous, një fshat pranë Vorizias. Njëra prej familjeve i kishte propozuar tjetrës që një prej anëtarëve të bëhej kumbar, si shenjë pajtimi dhe rivendosjeje të marrëdhënieve.
Megjithatë, kjo nismë nuk solli paqen e shpresuar. Përkundrazi, sipas burimeve lokale, propozimi u prit me skepticizëm dhe njëri prej anëtarëve të familjes tjetër dyshohet se është përgjigjur me fjalët: “Merre dhuratën, nuk e di nëse do të jem gjallë.”
Përplasja e armatosur shpërtheu të shtunën në mëngjes, kur të dyja palët hapën zjarr ndaj njëra-tjetrës. Konflikti vazhdoi edhe pas mbërritjes së forcave të shumta policore, të cilat rrethuan fshatin për të shmangur viktima të tjera. Tensioni, sipas informacioneve, kishte nisur që mbrëmjen e kaluar, pas shpërthimit të një pajisjeje shpërthyese të improvizuar në një banesë në ndërtim, që dyshohet se i përkiste njërës prej familjeve në konflikt.
Sipas të dhënave zyrtare, tre persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se dhjetë janë plagosur. Një burrë dhe një grua e re nga e njëjta familje u transportuan në Spitalin Venizelio të Heraklionit, por nuk arritën të mbijetojnë. Viktima e tretë, një tjetër grua, si dhe disa të plagosur, përfshirë edhe një fëmijë, u dërguan në spitalin Pagni.