Pas një ndjekjeje që zgjati rreth pesë orë, policia ka vënë në pranga 32-vjeçarin Bertil Alliaj, i dyshuar si autor i vrasjes së kushëririt të tij, Dalan Alliaj, 36 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Gjorm të Vlorës.
Sipas të dhënave paraprake, Bertil Alliaj ka qëlluar për vdekje kushëririn pranë banesës së tij, për shkaqe ende të paqarta. Pas krimit, ai është larguar drejt zonës malore të Gjormit, ku u kap disa orë më vonë nga forcat e rendit.
Trupi i pajetë i 36-vjeçarit u gjet nga familjarët, të cilët e transportuan menjëherë drejt spitalit, por mjekët konstatuan se kishte ndërruar jetë.
Burime nga hetuesia bëjnë me dije se autori i dyshuar është marrë në pyetje për rreth një orë, por ka refuzuar të tregojë arsyet që çuan në konfliktin fatal. Po sipas hetuesve, Bertil Alliaj ishte rikthyer në Gjorm vetëm dy ditë më parë dhe kishte kërkuar të takohej me kushëririn për të “sqaruar një bisedë”.
Takimi përfundoi në tragjedi. Në dëshminë e tij para togave të zeza, Alliaj mësohet të ketë deklaruar:
“E vrava për një arsye të fortë që s’mund ta them. I kisha thënë disa herë që duhet të reagonte. Ndoshta në një moment tjetër do të flas për arsyen, por ende nuk jam gati.”