Kapet pas pesë orësh arrati autori i vrasjes në Gjorm, viktima u qëllua me gjashtë plumba nga kushëriri

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 02.11.2025, 07:55

Pas një operacioni disaorësh kërkimi, policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes që tronditi mbrëmjen e së shtunës fshatin Gjorm të Selenicës.
Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se në pranga ka rënë Bertil Alliaj, i cili akuzohet për ekzekutimin me armë zjarri të kushëririt të tij, 36-vjeçarit Dalan Alliaj.

Ngjarja ndodhi mbrëmë, kur viktima, banues në Levan të Fierit, kishte shkuar për vizitë tek të afërmit e tij në Gjorm. Sipas të dhënave paraprake, ndërsa ndodhej pranë derës së banesës së xhaxhait, ai u qëllua me gjashtë plumba në trup, duke ndërruar jetë në vend.
Familjarët e transportuan me urgjencë drejt spitalit të Vlorës, por mjekët konstatuan se ai kishte ndërruar jetë.

Pas krimit, autori u largua drejt zonës malore, ku qëndroi për disa orë në arrati. Forcat e policisë organizuan një operacion të shpejtë kërkimi dhe, pas rreth pesë orësh, Bertil Alliaj u kap në një zonë të pyllëzuar pranë Gjormit.

Sipas policisë, dyshohet se motivi i ngjarjes lidhet me konflikte të vjetra familjare. Bertil Alliaj është një emër i njohur për drejtësinë, pasi ka qenë i përfshirë në masakrën e Çoles në vitin 2015, ku mbetën të vrarë tre persona.

Viktima, Dalan Alliaj, ishte pronar i një pike tregtimi të pjesëve të këmbimit për automjete në zonën e Levan-Allidagut dhe njihej si një person i qetë.
Ngjarja ka tronditur banorët e Selenicës, ndërsa policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të krimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit