Që prej hyrjes në fuqi të ligjit të ri të “Sigurisë Online” në Britani, qasja në faqet pornografike është bërë shumë më e vështirë.
Pornhub, një nga faqet më të vizituara në botë, ka raportuar një rënie dramatike prej 77% të trafikut nga Britania e Madhe gjatë tre muajve të fundit.
Sipas të dhënave të Ofcom, vizitat në faqet pornografike në tërësi janë ulur drastikisht, që nga momenti kur u vendos detyrimi për verifikim të moshës.
Tani, përdoruesit që duan të hyjnë në faqe të tilla duhet të verifikojnë moshën përmes identifikimit me fytyrë, jo më vetëm me një klikim që deklaron “jam mbi 18 vjeç”.
Zyrtarët britanikë thonë se masa synon të ndalojë fëmijët të “përplasen rastësisht me përmbajtje për të rritur”, duke e quajtur fundin e një “interneti pa moshë”.
Megjithatë, shumë përdorues kanë gjetur mënyra për ta anashkaluar rregullin, duke përdorur VPN (rrjet virtual privat) për t’u paraqitur si përdorues nga vende të tjera.
Kjo do të thotë se, ndonëse shifrat zyrtare tregojnë rënie të madhe të trafikut nga Britania, në realitet shumë përdorues mund të jenë ende aktivë, por regjistrohen si vizitorë nga jashtë vendit.
Ekspertja Hanne Stegeman nga Universiteti i Exeter shpjegon:
“Njerëzit që nuk duan të ndajnë të dhënat personale për shkak të privatësisë, po përdorin VPN për të shmangur identifikimin. Kështu shifrat reale janë të shtrembëruara.”
Nga ana tjetër, kompania që zotëron Pornhub, YouPorn dhe RedTube, Aylo, ka paralajmëruar se verifikimi i moshës është ende i kufizuar dhe nuk garanton mbrojtje të plotë të fëmijëve apo siguri të të dhënave.
Përfaqësuesja e saj, Alex Kekesi, deklaroi:
“Kemi vite që kërkojmë zgjidhje efektive që mbrojnë fëmijët, por edhe ruajnë privatësinë e përdoruesve. Mbajtja e fëmijëve larg faqeve për të rritur është përgjegjësi e përbashkët.”
Ndërkohë, qeveria britanike thekson se mbrojtja e fëmijëve online është prioritet kombëtar, dhe paralajmëron se do të marrë masa ndaj çdo platforme që nuk zbaton kontrollet e reja ose promovon mënyra për t’i anashkaluar ato.