Bulqizë/ Përmbyset furgoni me nxënës dhe mësues, 5 të plagosur: Shoferi i dehur dhe pa licencë për transport

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 01.11.2025, 18:56

Një aksident i rëndë është regjistruar ditën e djeshme në afërsi të fshatit Çerenec, në Bulqizë, ku një furgon ka dalë nga rruga, duke lënë të plagosur pesë persona. Sipas burimeve për JOQ Albania, mjeti ishte i palicencuar për transport dhe po transportonte nxënës e mësues të shkollës 9-vjeçare “Fasli Cami” në fshatin Viçisht.

Të njëjtat burime, të konfirmuara dhe nga policia, bëjnë me dije se drejtuesi i furgonit, 58-vjeçari F. C., ka qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes. Nga aksidenti janë plagosur drejtoresha e shkollës, një mësuese, dy nxënës dhe vetë shoferi. Drejtoresha dhe dy nxënësit janë dërguar në Tiranë për trajtim më të specializuar, ndërsa mësuesja po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Peshkopisë.

Dëshmia për JOQ Albania:

“Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 14:00, në Çerenec të Bulqizës. Furgoni transportonte nxënës e mësues të shkollës 'Fasli Cami', jo pasagjerë të zakonshëm siç është raportuar. Drejtoresha ndodhet në Tiranë me këmbë të thyer, një nxënëse ka thyer krahun, një tjetër është prerë në fytyrë nga xhamat, ndërsa të tjerët kanë dëmtime më të lehta. Shoferi ka qenë në gjendje të dehur dhe nuk kishte licencë për transport.”

Hetimet e Policisë kanë zbuluar se drejtuesi i furgonit, F. C., 58 vjeç, banues në fshatin Viçisht, e drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit dhe pa licencë për transportin e udhëtarëve.

“Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin F. C., për veprat penale ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’ dhe ‘Fshehja e të ardhurave’”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit