Pas muajsh spekulimesh dhe tratativash, ka ardhur konfirmimi zyrtar: fondi kanadez Brookfield ka blerë 26% të aksioneve të Oaktree, në një marrëveshje me vlerë rreth 3 miliardë dollarë. Ky transaksion përfshin gjithashtu 100% të pronësisë mbi Interin, duke e bërë Brookfield pronarin e ri të klubit zikaltër.
Në fakt, ndryshimi është më shumë formal sesa real. Brookfield, që menaxhon asete me vlerë 88 miliardë dollarë, kishte kontroll të plotë mbi Oaktree që prej vitit 2019, kur bleu pjesën më të madhe të saj. Me këtë lëvizje, fondi kanadez thjesht mbyll një proces që kishte nisur prej vitesh.
Brookfield, i listuar në bursat e Nju Jorkut dhe Torontos, është një gjigant financiar që administron mbi 2 trilionë dollarë në fonde. Sipas burimeve pranë klubit, pritet që fondi të ketë një rol aktiv në projektet strategjike të Interit, përfshirë planet infrastrukturore dhe zhvillimet e ardhshme të skuadrës.
Një element i veçantë i marrëveshjes është pagesa e këstit të parë prej 73 milionë dollarësh, që Brookfield do të derdhë brenda 10 ditëve për blerjen e stadiumit “San Siro”, një sinjal i qartë se investimet në impiantin historik do të jenë prioritet.
Nëse ky ndryshim do të sjellë stabilitet afatgjatë apo ndryshime të thella në menaxhim, mbetet për t’u parë.