Përgjaket Kreta, tre të vdekur dhe 12 të plagosur pas përleshjes mes dy familjeve, sulmohen dhe forcat policore

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 01.11.2025, 14:44

Një skenë kaosi është regjistruar në fshatin Vorizia të Heraklionit, në Kretë, ku një përleshje e armatosur mes dy familjeve ka përfunduar me tre viktima dhe rreth 12 të plagosur.

Sipas mediave lokale, përplasja me armë ka ndodhur mes dy fiseve që prej muajsh ndodheshin në konflikt të hapur. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të shumta policore, përleshjet vijojnë ende në zonë, ndërsa raportohet se janë shkrepur mbi 2,000 plumba. Dëshmitarët okularë pohojnë se në fshat dëgjohen vazhdimisht të shtëna me armë zjarri.

Në mesin e viktimave janë dy gra dhe një burrë. Njëra prej grave dyshohet se ka ndërruar jetë pas një ataku kardiak nga frika, ndërsa burri i vrarë besohet të jetë njëri prej autorëve që hapi zjarr. Ndër të plagosurit raportohen edhe disa fëmijë.

Të lënduarit janë transportuar me ambulanca drejt Qendrës Shëndetësore të Moirës dhe asaj të Agia Varvarës, të cilat aktualisht ruhen nga forca policore për të parandaluar incidente të tjera të mundshme.

Banorët e fshatit, ndonëse në panik, po ndihmojnë në transportimin e të plagosurve, duke përdorur edhe automjete bujqësore për t’i çuar në spital.

Sipas të dhënave paraprake, konflikti mes familjeve ka nisur që prej një viti, ndërsa përleshja e sotme dyshohet të jetë hakmarrje për një shpërthim që ndodhi mbrëmë vonë në një ndërtesë në ndërtim në të njëjtin fshat.

Ngjarja filloi të premten në mbrëmje, kur një shpërthim i fuqishëm në një shtëpi në ndërtim shkaktoi panik të madh në zonë. Të nesërmen, anëtarë të një prej familjeve të përfshira rrëmbyen armët dhe nisën të qëllonin në shenjë hakmarrjeje.

Aktualisht, forca të shumta policore ndodhen në Vorizia për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Kretë, duke kujtuar masakrën e vitit 1955 në fshatin Riziti, ku gjashtë persona humbën jetën dhe 14 të tjerë u plagosën në një hakmarrje të ngjashme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit