Redaksia e JOQ Albania ka publikuar prej ditësh raste të shumta ku i njëjti hajdut minoren po terrorizon bizneset e Tiranës. Çdo ditë, në redaksi mbërrijnë video dhe dëshmi të reja nga pronarë dyqanesh që kanë rënë pre e këtij individi, i cili vepron me qetësinë dhe përvojën e një hajduti profesionist.
Mëngjesin e sotëm, viktimë e radhës është bërë një dyqan në zonën e “5 Majit”, ku i mituri shkatërron derën dhe futet brenda për të grabitur mallra dhe para. Pamjet tregojnë një fëmijë që s’ka frikë nga asgjë, i sigurt se askush s’do ta ndalojë , dhe fatkeqësisht, ka të drejtë.
Pavarësisht lumit të denoncimeve, videove dhe provave të publikuara, Policia e Shtetit vazhdon të rrijë duarkryq, pa marrë asnjë masë për identifikimin apo ndalimin e hajdutit që ka kthyer kryeqytetin në terren loje. Bizneset ndihen të braktisura dhe të pambrojtura, ndërsa policia që paguhet për t’i mbrojtur, mjaftohet vetëm me konferenca për shtyp dhe patrulla fasadë.
A ka arritur Policia e Shtetit fundin, kur nuk është më në gjendje të ndalojë as një hajdut minoren? Nëse një fëmijë arrin të sfidojë gjithë sistemin policor të kryeqytetit, çfarë mund të presim kur përballë kemi kriminelë të vërtetë?