25-vjeçari Marjan Kodheli, i cili mesditën e 28 tetorit vrau me thikë babain e tij 69-vjeçar, Pjetër Kodheli, në banesën e tyre në fshatin Shkallnur të Durrësit, ka dalë para Gjykatës së Durrësit, ku i është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Gjatë seancës, i riu ka dalë i qetë dhe madje i buzëqeshur para togave të zeza. Gjykata caktoi një avokat për të, pasi familjarët nuk kishin paraqitur mbrojtës, ndërsa avokatja kërkoi të bëhet një vlerësim mjeko-ligjor për shëndetin e tij mendor.
25-vjeçari ka treguar se një javë më parë i kishte vdekur gjyshja dhe babai i kishte kërkuar të kujdesej për pritjen e njerëzve dhe pagesat. Ai ka rrëfyer se gjatë konflikti, babai e ka kapur për fyti dhe ai nuk po merrte dot frymë, gjë që e ka çuar situatën drejt tragjedisë. Marjan ka deklaruar se nuk është njeri agresiv, punon në ndërtim dhe se nuk e kupton plotësisht veprimin e tij, duke kërkuar që të kryhet një akt ekspertimi psikik-mjeko-ligjor për gjendjen e tij.
“Ishim duke ngrënë bukë dhe babai mu turr. Nuk më linte të haja bukë i qetë. Por nuk e mbaj mend pse ndodhi. Por, kemi patur grindje të vazhdueshme që kur jam kthyer nga Grerqia, para 6 muajsh. Kam jetuar në Francë, jam me pasaportë franceze. Atje kam ndenjtur rreth 6 vite dhe më pas kam shkuar në Greqi, ku kam punuar 6 muaj. Nga Greqia kam ardhur në shtëpi dhe isha i papunë. Kemi patur debate me babain. Sherri ndodhi teksa hanim drekë. Nuk e di si ndodhi. Mora thikën dhe e qëllova.”
Sipas prokurorisë, krimi ka ndodhur në kuzhinën e banesës, ku viktima ka marrë dy plagë në kokë dhe pesë plagë në trup, ndërkohë që janë konstatuar edhe plagë të lehta në formë gërvishtjesh. Thika me të cilën u krye vrasja është gjetur në vendngjarje, së bashku me një shufër hekuri. Marjan ka rrëfyer se pas ngjarjes njerka e tij ka ndërhyrë dhe ai është larguar nga banesa me vrap, por është kthyer për të marrë telefonin, duke parë që thika ishte lënë aty.