Një mjek imazherist në spitalin rajonal të Fierit, Gëzim Taullaj, 66 vjeç, është arrestuar pas një hetimi katërmujor të kryer nga Policia dhe Prokuroria Fier. Ai dyshohet se merrte para nga pacientët për të kryer ekokardiograma dhe ekografi, duke shpërdoruar detyrën e tij zyrtare dhe vizituar pacientë gjatë orarit të punës në dy klinika private në qytet.
Gjatë kontrollit në banesën e Taullajt, policia sekuestruar një shumë të konsiderueshme parash, përfshirë 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollarë, si dhe shumën që kishte marrë nga një pacient në flagrancë. Veprimet e tij rëndohen nga akuzat për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet procedurale dhe provat e sekuestruara janë dorëzuar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme ligjore. Hetimi dhe arrestimi vijnë si rezultat i bashkëpunimit mes Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Prokurorisë Fier, pas administrimit të menjëhershëm të informacionit për veprimtarinë e dyshuar të mjekut.