Baza ushtarake e Porto Palermos do t’i jepet privatit për ndërtimin e një resorti luksoz

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 01.11.2025, 10:00

Vendi strategjik i Porto Palermos në Himarë, ku ndodhet ish-baza ushtarake dhe tunelet nënujore për anijet, pritet t’i kalojë privatit për ndërtimin e një resorti turistik. Projekti është nisur nga Korporata e Investimeve Shqiptare prej tre vitesh, por deri më sot nuk është bërë publik. Dokumentet tregojnë se në zonën ku dikur ndodheshin objektet ushtarake planifikohet ndërtimi i një hoteli luksoz dhe një marine për jahte e anije.

Ndërkohë, në vitin 2022 qeveria shpalli zonën e Porto Palermos si park natyror, por nga harta e miratuar u la jashtë pjesa tokësore ku ndodhet ish-baza ushtarake, duke mbrojtur kryesisht sipërfaqen detare. Kjo lëvizje, sipas ekspertëve, ka hapur rrugën për ndërtime në një nga zonat më të bukura e më të lakmuara të bregdetit shqiptar, duke ndjekur të njëjtin model si në rastet e bazave të tjera ushtarake në Sarandë e Shëngjin, të cilat janë nën hetim nga SPAK.

Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, raporton Vox, projekti “Porto Palermo Marina Resort” përfshin ndërtimin e resorteve me pesë yje, portit për jahte, si dhe rivitalizimin e tuneleve të nëndetëseve për t’i kthyer në muze. KLSH ka konstatuar se Korporata e Investimeve Shqiptare ka vepruar pa ndjekur hapat ligjorë, duke përgatitur projektin dhe kontraktuar ekspertë të jashtëm pa u siguruar më parë transferimi zyrtar i pronës shtetërore. Ky zhvillim ngre dyshime për një tjetër rast të mundshëm tjetërsimi të pronës publike në favor të interesave private.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit