Një episod skandaloz është regjistruar mbrëmjen e sotme gjatë ndeshjes midis Partizanit dhe Dinamos, e vlefshme për Kategorinë Superiore U-18. Trajneri i Partizanit U-18, Aldo Duro, është filmuar duke përplasur në tokë një nga lojtarët e skuadrës së tij në momentin që ai pritej të futej në fushë si zëvendësues.
Ngjarja është transmetuar live në YouTube, por videoja është fshirë menjëherë pas incidentit, gjë që ka ngritur dyshime dhe reagime të forta në rrjet. JOQ Albania ka siguruar videon, ku duket qartë momenti kur trajneri Duro e shtyn lojtarin në mënyrë të papërshtatshme, duke e përplasur atë në fushë.
Ky veprim ka shkaktuar indinjatë të madhe tek tifozët dhe të afërmit e futbollistëve, të cilët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të FSHF-së. Ata theksojnë se kjo nuk është hera e parë që trajneri shfaq sjellje të papranueshme ndaj lojtarëve të rinj.
Në mesazhin dërguar redaksisë së JOQ Albania, një qytetar shkruan:
“Ky trajneri i Partizanit U-18, Aldo Duro, është një njeri bullizues. Nuk është hera e parë që sillet keq me lojtarët e vet. Në çdo ndeshje, ofendon, bërtet dhe tani arriti deri aty sa ta shtyjë lojtarin në sy të të gjithëve. Videoja u fshi nga YouTube sapo ndodhi incidenti. Kjo është e turpshme dhe shumë shqetësuese për prindërit e këtyre fëmijëve.”
Sipas denoncuesve, edhe në ndeshje të tjera janë vërejtur sjellje të ngjashme nga Duro, ndërsa në këtë rast incidenti ka ndodhur në sy të prindërve, përfaqësuesve të FSHF-së dhe tifozëve të pranishëm në stadium.
Ata kërkojnë që Federata Shqiptare e Futbollit të marrë masa ndaj trajnerit, duke e cilësuar këtë si një shembull të keq për akademinë e futbollit dhe për të rinjtë që ëndërrojnë të bëhen sportistë profesionistë.