Pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe paraqitjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku në SPAK, kryeministri Edi Rama ka reaguar me një deklaratë që po komentohet gjerësisht në publik:
“Mesa duket kumbullat pas shpinës sime janë shumë të ëmbla.”
Deklarata, e cila sipas analistëve “ka aromë artistike”, u bë gjatë një mbledhjeje me ministrat që akoma nuk janë marrë në pyetje. Rama tha se nuk kishte dijeni për veprimet e bashkëpunëtorëve të tij, por shtoi se “ndoshta i ka tradhtuar dieta”.
Një burim pranë Kryeministrisë sqaroi se Rama ka urdhëruar ngritjen e një Task-Force për Frutat, që do të hetojë nëse ka pasur “ngrënie të tjera të palejuara pas shpine”, përfshirë fiqtë e tenderëve dhe kumbullat e fondeve publike.
Në reagim ndaj arrestimit të Veliajt, Rama është shprehur se “është i tronditur, por jo i befasuar”, sepse “Erioni gjithmonë kishte pasur një marrëdhënie të çuditshme me pemët dhe ndërtimet”. Ndërkohë, për thirrjen e Belinda Ballukut në SPAK, kryeministri u shpreh me tone filozofike:
“Belinda nuk ka ngrënë kumbulla. Ajo thjesht ka ujitur pemën.”
Ekspertë të fushës së korrupsionit politik vlerësojnë se Rama ka arritur një nivel të ri të artit të distancimit, duke shpikur konceptin e “korrupsionit agrar”, ku çdo aferë përshkruhet si proces biologjik. Një analist që aktualisht është pa emision televiziv tha:
“Nëse Rama s’e dinte çfarë bënin njerëzit e tij, atëherë SPAK duhet ta pyesë: kush e drejtonte realisht qeverinë? Kumbullat?”
Ndërkohë në rrjetet sociale, qytetarët po propozojnë që SPAK-u të hapë një degë të re: Sektorin e Frutave të Ndaluara, me sloganin zyrtar “Mos e ha pas shpine, se të merr Prokuroria.”
Në fund, Rama është parë duke shëtitur në kopshtin e Kryeministrisë, duke vështruar kumbullat me dyshim të thellë dhe duke pëshpëritur për vete:
“Kush e ka radhën tani për të ngrënë kumbulla?”
SHËNIM: Lajmi i mësipërm është FAKE NEWS.