Një gjykatë turke ka dënuar me burgim të përjetshëm pronarin e hotelit “Grand Kartal” dhe dhjetë persona të tjerë për neglizhencë të rëndë, pas zjarrit që përfshiu resortin e skive në Kartalkaya të Bolus, duke shkaktuar vdekjen e 78 personave, mes tyre 34 fëmijë, dhe plagosjen e 133 të tjerëve gjatë pushimeve dimërore të shkollës.
Ngjarja ndodhi më 21 janar të këtij viti, kur flakët përfshinë ndërtesën 12-katëshe të hotelit, duke u përhapur me shpejtësi në korridore e dhoma. Pamje nga vendngjarja treguan persona që hidheshin nga dritaret ose përdornin çarçafë të lidhur për t’u shpëtuar flakëve, teksa hoteli përpihej nga zjarri.
Në mesin e të dënuarve janë pronari i hotelit, Halit Ergül, bashkëshortja dhe dy vajzat e tij, disa menaxherë të hotelit, një nënkryetar bashkie dhe një zëvendës-shef i zjarrfikëses. Ata u shpallën fajtorë për “neglizhencë me qëllim të mundshëm për vrasje” dhe morën dënime me burgim të përjetshëm për vdekjen e fëmijëve, si dhe 25 vite shtesë burg për viktimat e tjera.
Kur gjykata shpalli vendimin, salla shpërtheu në duartrokitje, ndërsa familjarët e viktimave, që kishin protestuar vazhdimisht jashtë gjykatës me fotografitë e të afërmve të humbur, e cilësuan dënimin si një fitore morale pas viteve të gjata në kërkim të drejtësisë.
Hetimet zbuluan se zjarri nisi rreth orës 3:17 të mëngjesit, kur një shkëndijë nga një pajisje elektrike ndezi një kosh plehrash dhe më pas shpërtheu një tub gazi të lëngshëm. Brenda pak minutash, flakët kishin përfshirë disa kate, pasi era që hynte nga një derë e hapur përshpejtoi përhapjen e zjarrit në tavanin prej druri.
Raporti hetimor evidentoi mungesë të sistemit të sprinklerëve, alarme të dëmtuara, staf të patrajnuar, mungesë ndriçimi emergjent dhe dalje alternative. Këto shkelje e kthyen ndërtesën në një 'kurth vdekjeje', ndërsa shkallët dhe ashensorët u shndërruan në “oxhaqe zjarri”, duke penguar evakuimin e 238 personave që ndodheshin në hotel.
Resorti “Grand Kartal”, i hapur fillimisht në vitin 1999 dhe i administruar nga kompania e Ergül-it që prej 2007-s, ishte një nga destinacionet më të njohura të dimrit në Turqi. Pas tragjedisë, opinioni publik kërkoi ndëshkim të ashpër për shkelësit e sigurisë dhe masa të forta për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.
Të dënuarit pritet të apelojnë vendimin, ndërsa familjet e viktimave kërkojnë që ai të mbetet në fuqi, në mënyrë që, siç shprehen ata, “një tragjedi e tillë të mos përsëritet kurrë më”.