SPAK i komunikon akuzën Belinda Ballukut për shkelje në tenderin e tunelit të Llogarasë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 31.10.2025, 16:50

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka komunikuar zyrtarisht akuzën ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, në bazë të neneve 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimi po zhvillohet në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, i bashkuar me procedimet nr.167 dhe 181 të vitit 2024. Akuzat lidhen me veprimet e ministres Balluku në cilësinë e saj zyrtare, gjatë një prej procedurave të prokurimit publik për projektin “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin Orikum–Himarë të aksit rrugor SH8.

Procedura e tenderit është zhvilluar më 11 dhjetor 2020 dhe, pas anulimit, është rihapur më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 18.9 miliardë lekësh pa TVSH.

SPAK bën me dije se ministrja Balluku është informuar për akuzën më 21 tetor 2025, por ajo ka kërkuar shtyrjen e paraqitjes. Pas një kërkese të dytë nga Prokuroria, më 24 tetor, Balluku është paraqitur sot, më 31 tetor 2025, në orën 15:00, ku i është komunikuar zyrtarisht statusi i të pandehurës dhe akuzat përkatëse.

Hetimet ndaj ministres Balluku vijojnë në fazën paraprake.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit