Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh në drejtimin e disa komisariateve në Tiranë dhe në rrethe, me synimin për të forcuar eficiencën dhe për të rritur performancën në strukturat vendore të policisë. Ky riorganizim vjen si pjesë e strategjisë për përmirësimin e menaxhimit dhe rritjen e efektivitetit në punën e përditshme të uniformave blu. Ndryshime të rëndësishme të shefave të komisariateve u firmosën sërish me urdhër të kryepolicit Ilir Proda. Pothuajse të gjitha komisariatet e Tiranës kanë shefa të rinj.
Sipas njoftimit zyrtar, Kryekomisar Besmir Qibini është emëruar Shef i Komisariatit nr. 3 në Tiranë, duke kaluar nga drejtimi i Policisë së Kukësit. Komisar Besmir Dervishi, i cili më parë drejtonte Komisariatin nr. 3, do të marrë drejtimin e Komisariatit nr. 5 në kryeqytet, ndërsa Kryekomisar Idriz Daulle kalon nga Komisariati nr. 5 në atë nr. 7 në Tiranë.
Ndryshime janë bërë gjithashtu edhe në strukturat e policisë në rrethe. Kryekomisar Ervis Sançolli, më parë në krye të Policisë së Matit, është emëruar Shef i Komisariatit Lezhë, ndërsa Kryekomisar Robert Losha do të marrë drejtimin e Komisariatit të Matit. Komisar Oltion Gjoni, i cili drejtonte Policinë e Lezhës, është emëruar në krye të Komisariatit të Kukësit. Drejtoria e Policisë së Shtetit nënvizon se këto lëvizje synojnë rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.