Juventusi ka nisur zyrtarisht një kapitull të ri nën drejtimin e Luciano Spallettit. Trajneri i njohur italian u prezantua sot para mediave në Torino, një ditë pasi firmosi kontratën që do ta mbajë në stolin e “Zonjës së Vjetër” për të paktën tetë muajt e ardhshëm.
Sipas marrëveshjes, nëse bardhezinjtë arrijnë një vend në Top 4 të Serie A dhe sigurojnë pjesëmarrjen në Champions League, kontrata e tij do të rinovohet automatikisht për një tjetër sezon, me mundësi shtesë edhe për një vit tjetër.
Spalletti, që merr drejtimin pas largimit të Igor Tudor, u shpreh se beson plotësisht te potenciali i grupit dhe se objektivi kryesor është rikthimi i Juventusit në majën e futbollit italian.
“Është një ndjenjë e mrekullueshme të jesh pjesë e këtij klubi. Të gjithë e dimë historinë, organizimin dhe pritshmëritë që ekzistojnë këtu. Kam pranuar të firmos sepse besoj te ky ekip dhe te vlera e lojtarëve që kam në dispozicion,” – tha Spalletti.
Trajneri 66-vjeçar nuk ngurroi të shprehë ambicien më të madhe që ka: rikthimin në garë për “Scudetton”.
“Titulli kampion? Po, duhet ta synojmë. Flisnim për këtë dje në dhomën e zhveshjes. Kanë mbetur edhe 29 ndeshje dhe gjithçka është e hapur. Kam parë shumë gjëra në 30 vite karrierë dhe e di që me punë e besim mund të arrijmë çdo objektiv,” – u shpreh ai.
Spalletti nuk harroi të përshëndesë pararendësin e tij, Igor Tudor, duke e cilësuar si “një profesionist të shkëlqyer” dhe “njeri të mrekullueshëm”.
“Jam i sigurt se do të gjej një skuadër të përgatitur mirë dhe në gjendje të mirë psikologjike. Do të duhet vetëm të punojmë shumë për të përmbushur qëllimet tona,” – shtoi trajneri.