Marshojmë për Leandron, i riu që humbi jetën nga shoferi i papërgjegjshëm me Porsche

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 31.10.2025, 12:50

Soy, më 31 tetor, në orën 13:30, qytetarët e Vlorës do të marrin pjesë në një marshim paqësor në kujtim të 17-vjeçarit Leandro Shametaj, i cili humbi jetën tragjikisht disa ditë më parë në një aksident rrugor. Nisma, e quajtur “Marshim për Jetën”, do të nisë nga Xhamia e Qendrës dhe do të përfundojë në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë, në vendin ku ndodhi përplasja fatale. Marshimi organizohet nga nëna e të ndjerit dhe synon të përcjellë një mesazh të fortë kundër drejtimit të automjeteve nën efektin e alkoolit dhe shpejtësisë së lartë, duke kërkuar më shumë kujdes dhe përgjegjësi në rrugë.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të datës 28 tetor 2025, rreth orës 00:10, në bulevardin “Ismail Qemali”, Vlorë. Leandro Shametaj, që punonte si kamarier, po kthehej në shtëpi me motorin e tij pas përfundimit të turnit të mbrëmjes, kur u përplas me forcë nga një automjet luksoz tip Porsche me targë AB737UI. Përplasja ishte fatale dhe e la të riun në gjendje kritike. Ai u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë pak minuta më pas.

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Vlorës, drejtuesi i automjetit, 32-vjeçari Haiti Bajramaj, ishte nën efektin e alkoolit në momentin e përplasjes dhe lëvizte me shpejtësi shumë më të lartë se norma e lejuar. Hetimet paraprake treguan se pakujdesia dhe gjendja e tij e dehur shkaktuan aksidentin tragjik. Bajramaj u arrestua menjëherë dhe po hetohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen”. Rasti ka ngjallur zemërim në opinionin e popullit, ndërsa qytetarët kërkojnë dënime më të ashpra për ata që me papërgjegjshmëri marrin jetë në rrugë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit