Pa asnjë paralajmërim, Rakip Suli rrit çmimet e transportit: Bileta 50 lekë, aboneja 1400 lekë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 31.10.2025, 09:35

Nga data 1 nëntor, qytetarët që përdorin linjën e transportit urban Kamëz–Tiranë do të përballen me rritje të çmimit të biletës dhe abonesë mujore.

Sipas burimeve për JOQ ALBANIA, çmimi i biletës nga 40 lekë do të bëhet 50 lekë, ndërsa aboneja mujore do të kushtojë 1,400 lekë, nga 1,200 lekë që ishte aktualisht.

Operatori i linjës ka paraqitur në Drejtorinë e Transportit të Bashkisë Kamëz një kërkesë për rritje tarife, të shoqëruar me analizë të kostove dhe arsyetim ekonomik, duke argumentuar se rritja e çmimeve të karburanteve dhe shpenzimeve të tjera operative e bën të domosdoshme ndryshimin e tarifës.

Më pas, Bashkia Kamëz, nën drejtimin e kryetarit Rakip Suli, ka përgatitur relacion teknik dhe financiar për justifikimin e ndryshimit të çmimit. Propozimi është shqyrtuar nga komisionet e këshillit bashkiak për ekonomi, financa dhe transport, dhe më pas është miratuar me votim në Këshillin Bashkiak.

Megjithatë, deri më tani nuk është publikuar zyrtarisht vendimi i Këshillit Bashkiak, ndonëse një procedurë e tillë kërkon transparencë dhe njoftim publik për qytetarët.

Këta të fundit që përdorin linjën Kamëz–Tiranë çdo ditë thonë se janë përballur me çmimin e ri pa asnjë njoftim paraprak.

Kjo ‘Shpresa Al’ e linjës së Kamzës i rrit çmimet sipas interesave të veta. Duhet të ketë një çmim të unifikuar me abonetë e tjera të transportit në Tiranë. Askush nuk na njoftoi, vetëm kur e bleva abonenë më thanë se kushton 1,400 lekë. Do merret ndonjë masë nga shteti apo ta rrisi sa herë te dojë çmimin e aboneve”,-tha një qytetar për redaksinë tonë.

Banorët e Kamzës e konsiderojnë rritjen e çmimit të pajustifikuar, pasi shërbimi nuk ka përmirësime në orare, itinerarë, investime apo në cilësinë e automjeteve.

Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për të garantuar që çmimet e transportit publik të jenë të unifikuara dhe transparente, dhe që rritjet e tarifave të mos vendosen në mënyrë arbitrare nga operatorët privatë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit