Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, ku do të zhvillohet seanca publike për shqyrtimin e ankimit të tij ndaj vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra. Veliaj u soll nga paraburgimi i Durrësit me një furgon policie dhe, me pranga në duar, hyri në ambientet e gjykatës nën masa të rrepta sigurie dhe praninë e forcave të shumta policore.
Seanca, e cila nis në orën 10:00, ka si relatore gjyqtaren Sonila Bejtja. Gjykata Kushtetuese kishte njoftuar më herët se Veliaj do të ishte i pranishëm në sallë, pasi ai kishte kërkuar personalisht të dëgjohej. Për këtë arsye, Drejtoria e Burgjeve dhe SPAK-u morën masat për transportin dhe sigurinë e tij gjatë zhvillimit të seancës.
Në qendër të shqyrtimit është vendimi i qeverisë për shkarkimin e Veliajt më 25 shtator, i bazuar në nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, me argumentin se ai nuk ishte paraqitur në detyrë për tre muaj. Veliaj kundërshton vendimin duke pretenduar se ai bie ndesh me Kushtetutën dhe të drejtën për ushtrimin e mandatit të zgjedhur, ndërsa qeveria argumenton se çështja nuk është në kompetencën e Kushtetueses.