Një denoncim i fortë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania lidhur me një tjetër skandal ndërtimor që po zhvillohet në Tiranë. Sipas qytetarëve, biznesmeni Gentian Sula, i përshkruar si i afërt me pushtetin socialist, po vazhdon “betonizimin” masiv të Kodrës së Diellit, një nga zonat që deri dje konsiderohej si “mushkëria e qytetit”.

Denoncuesit shprehen se pas përfundimit të rezidencave luksoze nr. 1 dhe nr. 2, Sula ka vijuar të zgjerojë aktivitetin ndërtimor në gjithë kodrat përreth, duke zhveshur terrenin nga gjelbërimi, shpyllëzuar hapësirat natyrore dhe duke zaptuar çdo parcelë të mbetur të lirë. Në vend të pemëve, po ngrihen vila dhe blloqe banimi që, sipas banorëve, po ndryshojnë përfundimisht fytyrën e zonës.
Ndërkohë, sipas të njëjtit burim, së fundmi është hapur edhe kantieri për një kullë 17-katëshe, ku siç thuhet në denoncim, “strehohen politikanët hajdutë të vendit”.

Mesazhi i plotë i qytetarëve:
“Përshëndetje JOQ, duam të denoncojmë masakrën mjedisore që po bëhet në Tiranë nga oligarku Gentian Sula, tek Kodra e Diellit. Pasi ka ndërtuar Rezidencën nr. 1 dhe nr. 2, vazhdon të zhveshë dhe të zaptojë gjithë kodrat përreth, duke i betonizuar e duke ndërtuar vila dhe blloqe banimi. ‘Mushkërinë e qytetit’, kodrat e Tiranës, i ka shpërfytyruar dhe shpyllëzuar. Dihet që ka lidhje të forta me pushtetin socialist. Së fundmi ka nisur edhe ndërtimin e një kulle 17-katëshe ku strehohen politikanët hajdutë të vendit.”
