Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 32-vjeçarin Hajri Bajramaj, i cili aksidentoi për vdekje 17-vjeçarin Leandro Shametaj. Ngjarja ndodhi më 28 tetor, rreth orës 12 të natës, kur i riu po kthehej në shtëpi me motor, pasi sapo kishte përfunduar punën.
Gjatë seancës, Bajramaj ka kërkuar falje, ndërsa pranë gjykatës ishte prezente edhe familja e të ndjerit.
Daja i 17-vjeçarit, Patriot Deraj, dhe familjarë të tjerë kërkuan ashpërsimin e dënimit, duke e cilësuar aksidentin si vrasje me dashje për shkak të shpejtësisë së madhe dhe gjendjes së dehur të drejtuesit të mjetit.
“Vërtet e ka marrë atë që meriton, por ne kërkojmë që të ashpërsohet ligji se kjo është vrasje me dashje. Të ecësh në bulevard me 200 km, të jesh i papërgjegjshëm, dy testet e alkoolit të dalin pozitiv, për ne kjo është... nuk ka fjalë, nuk po e besojmë këtë që na ka ndodhur. Kërkojmë të ashpërsohet ligji, kjo nuk është shkelje e kodit rrugor, është vrasje me dashje”, tha daja i Leandro Shametajt.
32-vjeçari u arrestua në flagrancë për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Ai po drejtonte automjetin e tij luksoz tip ‘Porsche’ në gjendje të dehur dhe me shpejtësi të lartë kur goditi të riun. Leandro Shametaj ndërroi jetë në spital, duke mos i mbijetuar plagëve të marra.