A është bërë Shqipëria një vend ku jeta e njeriut nuk ka më vlerë dhe drejtësia hesht përballë dhunës?
E marta e 28 tetorit u kthye në një ditë të rëndë për Shqipërinë, me disa ngjarje tragjike që ndodhën në qytete të ndryshme si Vlorë, Shkodër, Durrës, Tiranë dhe Berat. Humbje jete, plagosje dhe akte dhune që kanë tronditur opinionin publik. Lidhur me këtë, TVA News pyeti qytetarët për mendimin e tyre mbi situatën e rëndë që po kalon vendi.
Një qytetar e quajti këtë bilanc më keq se në vendet e luftës, duke kërkuar që drejtësia të veprojë, përgjegjësit të japin dorëheqje dhe shoqëria të reflektojë. Ai shtoi se prindërit dhe shkollat kanë një rol kyç në edukimin e brezave të rinj, për të mos lejuar që dhuna të bëhet pjesë e përditshmërisë.
Një tjetër qytetare u shpreh se shkaku kryesor i vrasjeve dhe konflikteve që ndodhin sot është mendjemadhësia dhe mungesa e respektit. Duke iu referuar rastit tragjik në Durrës, ku një djalë vrau babain e tij, ajo tha se një akt i tillë tregon mungesë arsyeje dhe ndoshta ndikim nga substanca narkotike. Ajo apeloi që njerëzit të ruajnë gjaknxehtësinë dhe të mos prekin prindërit, sepse nëna dhe babai janë të shenjtë.
Edhe të moshuarit e tjerë që dhanë mendimin e tyre për mikrofonin e TVA News u shprehën të shqetësuar për mungesën e rendit dhe të drejtësisë. Njëri prej tyre tha se shqiptarët janë bërë shumë agresivë, vriten për një fjalë goje, ndërsa një tjetër theksoi nevojën për ligje më të forta që të ndëshkojnë kriminelët, duke paralajmëruar se nëse kriminelët dalin mbi ligjin, atëherë shteti ka marrë fund.