Policia e Shtetit vijon të mbetet nën lupën e qytetarëve, jo për arritje apo efikasitet, por për hipokrizi dhe abuzim me detyrën. Çdo ditë në redaksinë tonë mbërrijnë denoncime nga qytetarë që tregojnë sesi uniformat blu gjobisin me zell, por shpesh nuk zbatojnë vetë rregullat që predikojnë.
Një rast i tillë është regjistruar në Durrës, ku një punonjës i Policisë Rrugore është filmuar teksa udhëton me motor pa kaskë mbrojtëse, shkelja më bazike për të cilën qytetarët ndëshkohen çdo ditë me gjoba të majme. Ndërsa policët ndalojnë qytetarët në çdo cep për t’u kërkuar respektimin e ligjit, kolegu i tyre qarkullon i qetë, i paprekshëm dhe i sigurt në papërgjegjësinë e vet.
Ky nuk është një rast i izoluar, por një simptomë e sëmundjes kronike që ka prekur prej vitesh Policinë e Shtetit. Në vend që të jenë shembull për disiplinë dhe integritet, shumë efektivë janë kthyer në simbol të arrogancës dhe abuzimit me pushtetin që mbart uniforma.
Policia, që duhet të mbrojë rendin dhe besimin e publikut, po e gërryen vetë autoritetin e saj me çdo akt të tillë.
Denoncimi i qytetarit:
"Policia që duam! Pa kokore, pastaj na ndalojnë neve na venë gjoba e duam të behemi shtet ne. Të lutem postojeni, faleminderit!"