Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Berat ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Kristo Mema (alias Kostandin Oxhaj), 63 vjeç, i akuzuar për vrasjen e 42-vjeçarit Keli Hoxha nga Tirana.
Autori ka mbërritur mesditën e sotme në gjykatë nën masa të rrepta sigurie, për t’u njohur me masën e sigurisë. Prokurori Renato Tosku kërkoi arrest me burg për veprën penale “vrasje”, ndërsa gjyqtari Renis Bega e cilësoi të ligjshëm arrestimin dhe caktoi masën për Memën.
Gjatë seancës, autori shprehu pendesë dhe deklaroi se gjithçka ndodhi në gjaknxehtësi, pasi viktima e kishte ofenduar dhe sharë nga familja. Ai kërkoi falje edhe për familjarët e Hoxhës.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 28 tetorit në Kalanë e qytetit të Beratit. Sipas dëshmive, konflikti nisi pasi viktima preku kalin që Mema përdorte për shëtitje turistësh kundrejt pagesës. Pas një debati, autori nxori thikën e mbajtur në samarin e kalit dhe e qëlloi viktimën.
Pas ngjarjes, Mema u largua dhe u fsheh në një nga shpellat e kalasë, ndërsa viktima Keli Hoxha nuk mundi t’i mbijetojë plagëve dhe vdiq sapo mbërriti në Spitalin Rajonal Berat. Autori u kap disa orë më vonë pranë Kishës së Shën Mëhillit.
Mësohet se Kristo Mema ka kryer një vrasje edhe në vitin 1993 në Berat, por pas ngjarjes u largua në Greqi për rreth 25 vjet, duke ndryshuar edhe emrin, dhe nuk ka vuajtur asnjë ditë burg për atë rast, pasi ishte parashkruar.