Të dielën nuk do të votohet në Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 30.10.2025, 13:37

Të dielën, më 2 nëntor, kur do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, nuk do të votohet në komunat Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë, pasi në raundin e parë të votimit, më 19 tetor, nuk u arrit censusi minimal.

Në këto katër komuna do të nisë një procedurë e re zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të komunës, brenda 60 ditëve nga publikimi i rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale 2025, në përputhje me Kodin Zgjedhor.

Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në këto komuna në raundin e parë nuk dolën në votime më shumë se një e treta (33,33%) e votuesve të regjistruar, që është kusht ligjor që zgjedhjet të konsiderohen të vlefshme.

Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33,31% Në Vrapçisht – 25,18% Në Mavrovë-Rostushë – 30,31% Në Qendër Zhupë – 21,49% Në bazë të nenit 132, paragrafi (2) të Kodit Zgjedhor, nëse në raundin e parë të votimit për kryetar komune ose për kryetarin e Qytetit të Shkupit nuk del të paktën 1/3 e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar, e gjithë procedura zgjedhore përsëritet për atë komunë.

Ndërkaq, neni 132-a përcakton se zgjedhjet e përsëritura për komunën përkatëse duhet të mbahen brenda 60 ditëve nga publikimi i rezultateve përfundimtare, dhe në këtë rast nuk do të zbatohet kushti për pjesëmarrjen prej një të tretës së votuesve.

Kështu, i gjithë raundi i parë i votimeve në këto komuna do të përsëritet, ndërsa procedura e re zgjedhore do të nisë brenda 60 ditëve nga publikimi i rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale 2025.

Raundi i dytë i Zgjedhjeve Lokale 2025 do të mbahet të dielën, kur do të zgjidhen kryetarët e 32 komunave dhe i Qytetit të Shkupit. Në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve, kryetarët e komunave janë zgjedhur në 44 komuna.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit