Shtëpitë e 74 familjeve durrsake do të shemben për një lulishte

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.10.2025, 13:40

Në një mëngjes që duhej të ishte i zakonshëm, 74 familje durrsake janë zgjuar me lajmin se shtëpia e tyre do të shembet. Jo për një rrugë, jo për një shkollë, jo për një objekt jetik publik, por për t’i hapur vendin një lulishteje pranë amfiteatrit të Durrësit. Në një vend normal, kjo do të quhej projekt estetik; në Shqipëri, është simbol i përbuzjes ndaj qytetarëve.

Sipas njoftimeve zyrtare, shpronësimi i këtyre banesave do të bëhet “me çmime reference”, një formulim burokratik që përkthehet në pagesa qesharake, shumë më poshtë vlerës reale të pronës. Këto 74 familje nuk janë as konsultuar, as pyetur, as dëgjuar. Thjesht janë vënë përballë një vendimi të prerë, brenda tre muajsh duhet të dorëzojnë dokumentet e shpronësimit, përndryshe buldozerët do të flasin vetë.

Në një shoqëri që pretendon të jetë demokratike, e drejta e pronës është e shenjtë. Por në Shqipëri, ajo po shkelet çdo ditë nga po ata që duhet ta mbrojnë. Çfarë vlere ka një lulishte, nëse çmimi i saj janë jetët, kujtimet dhe mundi i dhjetëra familjeve? A është ky vizioni për zhvillimin urban të ndërtojmë estetikë për turistët duke rrënuar shtëpitë e qytetarëve?

Në Durrës, ky nuk është rasti i parë. Pas çdo projekti të “rilindjes urbane” fshihen drama njerëzore, lot dhe padrejtësi, që nuk pasqyrohen asnjëherë në broshurat zyrtare apo deklaratat politike. Institucionet lokale, bashkia dhe qeveria, sillen si administratorë të betonit, jo si shërbyes të njerëzve. Vendimet merren në zyrat e zyrtarëve, jo në konsultim me qytetarët që preken drejtpërdrejt.

Në thelb, ky nuk është vetëm një projekt ndërtimi, por një tjetër dëshmi e arrogancës së pushtetit ndaj qytetarit. Shteti që duhej të garantonte sigurinë e pronës dhe dinjitetin njerëzor, po i përzë qytetarët e vet nga shtëpitë, për një “lulishte” që nuk do të mbjellë gjelbërim, por zemërim dhe plagë sociale.

Këto 74 familje nuk janë as të parat, as të fundit. Por nëse sot heshtim, nesër mund të jetë radha e kujtdo. Sepse në një vend ku ligji shërben për të justifikuar padrejtësinë, asnjë derë nuk është e sigurt.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit