Qeveria ka miratuar një paketë të re ndryshimesh ligjore që shtrihet në të gjithë sektorin e koncesioneve, me qëllim të përfshirjes së kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) edhe për shërbime të tilla si ndriçimi publik apo energjia elektrike për ngrohje, strehimi etj.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë dhe pritet të kalojë për diskutim në Kuvend.
Sipas dokumentit, lista e shërbimeve të mundshme për koncesion është ka përfshirë “ndriçimin publik në territorin e njësive administrative vendore; bujqësi dhe kontrata të tjera në sektorët utilitarë”.
Ky ndryshim rikthen në qarkullim idenë e mëparshme për dhënien me koncesion të ndriçimit publik, e cila në vitin 2016 kishte shkaktuar përplasje mes Damian Gjiknurit, atëherë ministër i Energjisë, dhe Ylli Manjanit, ministër i Drejtësisë. Në atë kohë, kompania daneze “HeSaLight” A/S kishte paraqitur një propozim të pakërkuar për të marrë me koncesion ndriçimin në Tiranë dhe Durrës, por projekti dështoi pas debatit mes institucioneve.
Partneriteti publik-privat është “një formë bashkëpunimi afatgjatë, të rregulluar me kontratë, ndërmjet autoritetit/entit kontraktues, partnerit publik, dhe një ose më shumë operatorëve ekonomikë… ku partneri publik merr përsipër të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare, pjesërisht ose plotësisht për realizimin e investimit”.

Në të njëjtën kohë, ligji riskon të jetë objekt kritikash për faktin se institucioni publik ruan fuqi për të financuar pjesërisht ose tërësisht investimet, duke krijuar mundësi për keqpërdorim.