Minatorët e minierës së bakrit në Spaç kanë zhvilluar sot një protestë përpara godinës së Kuvendit, duke përshkallëzuar qëndrimin e tyre që vijon prej disa javësh. Ata kërkojnë njohjen zyrtare të sindikatës së krijuar prej tyre dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, e cila, sipas punëtorëve, do të garantonte paga të drejta, kushte më të mira pune dhe siguri më të lartë në mjediset e minierës.
Protestuesit, me pankarta në duar dhe thirrje “Duam të drejtat tona”, kërkojnë gjithashtu pensione dinjitoze për punën e rëndë që kanë kryer ndër vite. Ata shprehen se do të qëndrojnë në protestë derisa kërkesat e tyre të merren në konsideratë dhe të nisin negociatat formale për kontratën kolektive.
Nga ana tjetër, kompania “TETE Albania”, që administron minierën, këmbëngul në respektimin e procedurave ligjore përpara çdo negociate dhe ka refuzuar të dialogojë me sindikatën, duke pretenduar se ajo nuk plotëson kriteret ligjore. Minatorët e konsiderojnë këtë qëndrim si të padrejtë dhe akuzojnë kompaninë për hakmarrje me largime nga puna, ndërsa paralajmërojnë se greva do të vazhdojë.